E drejta për vetëpërcaktim është thelbësore për mbijetesën dhe lirinë e çdo qenie njerëzore, theksoi rrjeti rajonal Trans Mreža Balkan përmes fushatës “Gëzuar!” në bashkëpunim me organizatat rajonale Kolektiv Talas TIRV nga Serbia, Asocijacionin Spektra nga Mali i Zi, KolekTIRV nga Kroacia, TransForm nga Maqedonia dhe TransAkcija nga Sllovenia. Me këtë fushatë u shënua Dita e Përkujtimit të Viktimave të Transfobisë, kur çdo vit publikohet numri i personave trans që janë vrarë vetëm për shkak të asaj se kush janë. Përmes kësaj veprimtarie, ne festojmë jetën duke ngritur një dolli për të gjithë ata që janë këtu dhe që luftojnë, duke nderuar dhe kujtuar ata që kanë humbur jetën në mënyrë tragjike.
Sipas të dhënave të një prej organizatave më të besueshme evropiane, Transgender Europe – TGEU, e cila monitoron dhunën ndaj komunitetit trans në nivel global, janë vrarë 350 persona trans vetëm këtë vit. Këto shifra nuk janë thjesht statistika; pas çdo numri fshihet një emër, një jetë, ëndrra dhe potencial i ndërprerë për shkak të dhunës dhe intolerancës. Secili prej këtyre personave ishte motra, vëllai, vajza, djali, shoku më i mirë, partneri ose partnerja e dikujt, dhe me humbjen e çdo individi, shoqëria humbi gjithashtu.
Çdo 20 nëntor, me këtë ditë kujtojmë të gjithë ata që kanë humbur jetën vetëm sepse dëshironin të jetonin të lirë dhe të lumtur. Transfobia që mohon vlerën e jetës së personave trans ua ka mohuar atyre këtë të drejtë themelore njerëzore.
Megjithatë, kjo datë nuk është vetëm ditë përkujtimi; është gjithashtu thirrje për veprim, përgjegjësi dhe këmbëngulje në domosdoshmërinë e ndëshkimit të dhunës dhe diskriminimit si dhe në mbrojtjen e të drejtave dhe dinjitetit, jo vetëm të personave trans, por të gjithë shoqërisë.
Një jetë me dinjitet nuk ekziston nëse nuk kemi të drejtën të përcaktojmë dhe shprehim vetveten pa frikë nga paragjykimet, sulmet dhe përundimisht vrasja. E drejta për vetëpërcaktim është thelbësore për mbijetesën dhe lirinë e çdo qenie njerëzore, cilido qoftë identiteti ynë, qoftë ai gjinor, kombëtar, fetar apo ndonjë tjetër; të drejtën që të mos përcaktohemi nga fqinjët, të njohurit, apo shteti. Transfobia nuk është vetëm çështje urrejtjeje, por edhe çështje të drejtave të mohuara për jetën, sigurinë dhe lirinë. Transfobia nuk është vetëm një çështje qëndrim ndaj personave trans, por një reflektim i një sistemi shtypës ndaj të gjithëve, një sistemi që na cakton rolin dhe vendin tonë në të dhe që përfiton nga urrejtja.
Sot, jo vetëm që nderojmë jetët e humbura, por festojmë edhe forcën, qëndrueshmërinë dhe guximin e të gjithë atyre që luftojnë çdo ditë për të drejtën e tyre për të ekzistuar.
Ne jemi një komunitet individësh krenarë, të vendosur, të qëndrueshëm dhe të guximshëm që punojnë aktivisht për një shoqëri që është e mirë për të gjithë. Zëri ynë nuk shuhet me humbjen e jetës së dikujt – përkundrazi, bëhet gjithnjë e më i fortë dhe më i vendosur që të mos lejojmë që kjo t’i ndodhë askujt tjetër.
Këtë vit, përmes fushatës kujtojmë se e drejta për jetë është absolute dhe se personat trans do të vazhdojnë të ekzistojnë dhe të luftojnë për një botë ku secili mund të ngrejë një dolli “Gëzuar!” – me krenari, dinjitet dhe pa frikë.